Sahiba dhe i ftuari i 67.

„Në fillim çdo gjë shkonte mirë“
Kështu fillon tregimi i Sahibës, zonjës që e takova në një restorant në Sarajevë.
„Ne ishim të lumtur, prindërit tanë edhe më të lumtur. Një vit pas martesës, zoti na dhuroi një fëmijë. Djali ynë!

Ai qeshte dhe shkëlqente sikur dielli në prill.
Por shume shpejt erdhën re të zeza në jetën tonë.
Bashkëshorti im filloi të pinte. Ai na rrihte çdo ditë mua dhe djalin.
Një natë erdhi i dehur në shtëpi me një revole në dorë. Ai hyri në nevojtore e unë mora djalin dhe duke kaluar rrugicave të errëta arrita deri tek prindërit e mi.
Ishte mesnatë, prindërit u tronditën, kur e kuptuan se çfarë ka ndodhur.

Pas disa ditëve isha e detyruar që djalin t’ia kthej famijes së bashkëshortit.
Kështu ishte në kulturën tonë.
Ndërsa unë nga frika vazhdoja të jetoja e fshehur nëpër shtëpitë e fqinjëve tanë.
Djali i njërit nga fqinjët punonte në Zvicër. Ai më mori atje. Atje kam punuar 45 vite në një restorant të një fshati të vogël; kam kursyer shumë dhe kam mbështetur gjithmonë djalin tim dhe prindërit e mi në Sarajevë.
Në vendlindje nuk kam guxuar të kthehem asnjëherë, sepse bashkëshorti im ishte betuar të më vriste.

Kështu jetoja me vuajtje gjithmonë, derisa rashë në depresion.
Gjatë ditës isha më mirë, por netët ishin më të rënda e me shumë dhembje shpirtërore.
Shpesh ëndërroja se po fluturoja si një zog nëpër atdhe.
Pastaj filloi lufta në vendin tim.
Një ditë mora lajmin se prindërit e mi dhe motrat
ishin vrarë në një bunker.
„Mos u mërzit, ata nuk janë masakruar, kanë patur një vdekje të lehtë, nga një bombë“ më thoshte kushërira ime.
Unë qaja dhe lutesha për djalin.
Faleminderit Zotit, ai shpëtoi.

Pas lufte ai ishte në studime. Nga kursimet e mia ia bleva një veturë të mirë por edhe ia ndërtova një shtëpi. Një shtëpi të mrekullueshme sikur një pallat mbretëror.
Në anën tjerër të shtëpisë, ndërtova një shtëpi të vogël, dy dhomëshe, për vehten time.
Përballë shtëpisë së djalit, por ndaras, sepse nuk doja ti pengoja djalit.
Ai kishte një të dashurë dhe unë i kam mbështetur të dytë në të gjitha nevojat jetësore.

Në festën e shtëpisë ata kishin ftuar 67 persona.
„67., sa vitet tua nënë“ kështu më thoshte djali, duke qeshur.
Ditën e festës papritur, e me shumë ironi, erdhi ish bashkëshorti im, krahë për krahë me një grua.
„Kush e ka ftuar, kush e ka ftuar babanë tënd?“
e pyesja djalin tim.
Djali shikonte i habitur kah gruaja e tij.
„Unë, unë ,ha gruaja e djalit tim“
Ai ishte i ftuari i 67!

„Unë e humba durimin, sepse kam vuajtur shumë prej tij. Çdo gjë e paska një kufi.
Nga mllefi e kam gjuajtur me këpucët e mysafirëve në kokë.
Ai iku.
Por ika edhe unë.
Mora çantën time dhe erdha këtu në shtëpinë e prindërve të mi.
Këtu dua të jetoj përgjithmonë. Këtu së bashku me kujtimet e mia të mira, e me ato të hidhurat.
Ndonjëherë kur kam shumë mall për djalin tim, shkoj fshehtas dhe e përkëdhel derën e shtëpisë së tij, sikur dikur kur përkëdhelja faqet e tij, kur ishte foshnje.
Paska njerëz që nuk janë falënderues edhe sikur shpirtin tua falësh.“

Kështu tregonte Sahiba, historinë e saj, derisa ziente kafen me qumësht në shtëpinë e prindërve në Sarajevë, dhe me duart që i dridheshin i fshinte shpejt lotët nëpër faqe.
„Ti je e mirëseardhur e dashur, ne po pimë kafe dhe po dalim të shëtisim“ më thoshte ajo,
„dielli sapo ka rënë mbi çati, dhe unë kan dëshirë që ti të shohësh Sarajevën. Kam vuajtur shumë, kam humbur shumë njerëz, por ky qytet ka një shkëlqim sikur drita e shpirtit tim“

Ne dilnim shpesh së bashku me gra të tjera, në një restorant. Gati çdo ditë kemi shëtitur, por ne duhej të flisnim vetëm për gjëra të bukura.
„Sepse vetëm kështu i mbajmë mendimet larg nga lufta“
kështu po më thoshte Sahiba, ditën kur u përshëndetëm në aeroport.

Über Hava

Hava Kurti Krasniqi ist Albanerin aus dem Kosovo. Die Journalistin lebt in Zürich und arbeitet als Scriptwriterin und Buchautorin. Ihr neuestes Buch ist über Geschichten vom Fussball Feld. Sie ist auch als Kulturvermittlerin und Moderatorin beim Femmes Tische engagiert.

Alle Beiträge anzeigen von Hava

Schreibe einen Kommentar